THIRRJE PËR APLIKIM: Travel News Market 2026

Date: 12 November, 2026
Location: Stockholm, Sweden

Pjesëmarrja e ndërmarrjeve turistike të Kosovës në Travel News Market 2026
Stockholm, Suedi | 12 nëntor 2026


Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në partneritet me Swisscontact përmes projektit GROW, i
financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), si dhe
Nordic Chamber of Commerce (NCC), fton ndërmarrjet turistike nga Kosova të aplikojnë për
pjesëmarrje në panairin Travel News Market 2026, që mbahet më 12 nëntor 2026 në
Stockholm, Suedi.

Travel News Market është një nga ngjarjet më të mëdha të B2B e industrisë së turizmit në
Suedi, që sjell së bashku destinacione dhe ndërmarrje turistike me operatorë turistikë, agjenci
udhëtimi dhe partnerë të tjerë nga tregu suedez dhe skandinav. Kosova do të marrë pjesë për të
tretin vit radhazi, me synim promovimin e ofertës turistike të vendit dhe krijimin e mundësive
konkrete të bashkëpunimit me partnerë nga Suedia dhe vendet e tjera skandinave.

Përmes kësaj thirrjeje do të përzgjidhen deri në 10 ndërmarrje turistike nga Kosova.


Çfarë përfitoni nga pjesëmarrja?


Ndërmarrjet e përzgjedhura do të kenë mundësi të prezantojnë ofertën e tyre në shtandin e
Kosovës në Travel News Market dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me akterë të tregut
suedez dhe skandinav.

Pjesëmarrja ofron:

  • prezantim në shtandin e Kosovës në Travel News Market 2026 ne Stockholm
  • mundësi për krijimin e kontakteve të reja të biznesit, zhvillimin e bashkëpunimeve me partnerë potencialë dhe promovimin e ofertave turistike të Kosovës në tregun suedez dhe skandinav.

Për më tepër, projekti GROW, në bashkëpunim me NCC, do të ofrojë mbështetje në:

  • përgatitje para panairit nga një kompani e angazhuar në Suedi, me njohuri të tregut dhe rrjet të partnerëve në industrinë e turizmit suedez dhe skandinav
  • informim mbi tregun suedez dhe skandinav, trendet relevante, profilin e vizitorëve dhe kërkesat e operatorëve turistikë
  • këshillim individual për prezantimin dhe pozicionimin e produkteve dhe paketave turistike për tregun suedez dhe skandinav
  • identifikim dhe kontaktim të operatorëve turistikë, agjencive të udhëtimit dhe partnerëve potencialë, bazuar në profilin dhe ofertën e secilës ndërmarrje
  • organizim dhe koordinim të takimeve B2B me partnerë relevantë para dhe gjatë Travel News Market
  • mbështetje në vend gjatë panairit për takimet B2B, prezantimin e ofertës dhe krijimin e kontakteve të reja
  • përcjellje të kontakteve dhe mundësive të krijuara pas panairit, me synim zhvillimin e
    tyre në bashkëpunime konkrete


Kush mund të aplikojë?


Mund të aplikojnë ndërmarrjet turistike të regjistruara në Kosovë që ofrojnë produkte ose
shërbime për turizmin hyrës (inbound) dhe kanë interes për të zhvilluar bashkëpunim me tregun
suedez dhe skandinav.


Aplikantët duhet të:

  • kenë produkte ose oferta turistike për vizitorë ndërkombëtarë
  • dëshmojnë përvojë në shërbimin e turistëve ndërkombëtarë dhe kapacitet për të ofruar
    shërbime cilësore për vizitorët nga tregu suedez dhe skandinav
  • kenë së paku një përfaqësues që mund të komunikojë dhe të zhvillojë takime biznesi në
    gjuhën angleze
  • jenë të gatshëm të marrin pjesë në përgatitjet, takimet B2B dhe aktivitetet përcjellëse të
    organizuara në kuadër të pjesëmarrjes.


Çfarë pritet nga ndërmarrjet e përzgjedhura?


Travel News Market është një mundësi për krijimin e kontakteve dhe bashkëpunimeve konkrete
me tregun. Për këtë arsye, ndërmarrjet e përzgjedhura pritet të angazhohen aktivisht gjatë gjithë
procesit.


Kjo përfshin pjesëmarrjen në aktivitetet përgatitore, ofrimin me kohë të informatave për
ndërmarrjen dhe ofertën e saj, pjesëmarrjen në takimet B2B të aranzhuara dhe përcjelljen e
kontakteve relevante pas panairit.


Cilat shpenzime mbulohen nga organizatorët?

Në kuadër të pjesëmarrjes në Travel News Market 2026, për ndërmarrjet e përzgjedhura do të
mbulohen shpenzimet që lidhen me:

  • Hapësirën e përbashkët ekspozuese në shtandin e Kosovës.
  • Organizimin dhe koordinimin e pjesëmarrjes në panair, duke përfshirë sigurimin e
    hapësirës në shtandin e Kosovës, koordinimin me organizatorët dhe partnerët përkatës,
    si dhe ofrimin e mbështetjes teknike dhe logjistike për pjesëmarrjen efektive të
    ndërmarrjeve të përzgjedhura.
  • Mbështetjen profesionale për përgatitjen e ndërmarrjeve dhe prezantimin e ofertave të
    tyre në tregun suedez dhe skandinav.
  • Identifikimin e partnerëve potencialë dhe organizimin e takimeve B2B gjatë panairit.

Si do të bëhet përzgjedhja?

Aplikimet do të vlerësohen në bazë të relevancës dhe cilësisë së ofertës turistike, përvojës së ndërmarrjes në shërbimin e turistëve ndërkombëtarë, si dhe potencialit për zhvillimin e bashkëpunimeve me operatorët turistikë dhe partnerët e tjerë në tregun suedez dhe skandinav.

Përzgjedhja do të koordinohet nga Nordic Chamber of Commerce dhe projekti GROW, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.


Afatet e përzgjedhjes dhe njoftimit

Vlerësimi i aplikimeve dhe përzgjedhja e ndërmarrjeve do të realizohen pas përfundimit të afatit
për aplikim. Aplikuesit do të njoftohen për rezultatet e përzgjedhjes, ndërsa lista e ndërmarrjeve
të përzgjedhura do të publikohet në kanalet zyrtare të Nordic Chamber of Commerce, në web
www.nordic-cham.com, deri më 20.10.2026.

Si të aplikoni?


Aplikimi bëhet përmes formularit të aplikimit, i cili duhet të plotësohet dhe të dorëzohet përmes
emailit, tek info@nordic-cham.com, së bashku me dokumentet e kërkuara. Aplikantët duhet të
ofrojnë informata bazë për ndërmarrjen, ofertën turistike, përvojën me tregjet ndërkombëtare
dhe interesin për tregun suedez dhe skandinav, si dhe të bashkëngjisin dokumentet përkatëse.


Afati për aplikim: 20 tetor 2026

Vetëm aplikimet e plota dhe të dorëzuara brenda afatit do të merren në konsideratë.
Për pyetje ose informacione shtesë:
Grow@swisscontact.org